Rrokada e shpejtë e pushtetit në Afganistanit, ku kontrollin tashmë e kanë marrë në dorë talebanët, ka bërë që një rrebesh kritikash të bjerë mbi administratën e presidentit, Joe Biden.
Zëra të shumtë janë ngritur e ato pyesin sesi u lejua të rrëzohej në këtë mënyrë qeveria e mbështetur ndërkombëtarisht në Kabul. Disa kritikë thonë se reputacioni i presidentit Biden është dëmtuar rëndë në raport me vendet të cilat ende kërkojnë një rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara. Eksperti për çështje ndërkombëtare dhe bashkëpunëtor në Institutin Clinton në University College Dublin, Scott Lucas, thotë se disa mund të jenë habitur nga shpejtësia me të cilën talibanët morën kontrollin, por sipas tij, administrata e Bidenit nuk e ka llogaritur gabim atë që do të ndodhte pas tërheqjes së trupave amerikane.
“Unë mendoj se këshilltarët e Bidenit e dinin se talibanët do ta marrin Afganistanin”, tha Lucas për REL. Kjo përfshin mënyrën sesi Shtetet e Bashkuara po e trajtojnë Iranin dhe Pakistanin. Njerëzit afër Bidenit me siguri tani kanë një prioritet tjetër dhe ajo është Kina”, u shpreh ai.
Ndërsa ish ambasadori amerikan në Afganistan, Ryan Crocker, tha se kjo situatë ka ngritur ‘pyetje serioze’ në lidhje me aftësinë e Bidenit për të drejtuar SHBA-në si komandant i përgjithshëm. Crocker e akuzoi presidentin amerikan se ose e ka keqinterpretuar situatën, ose thjesht nuk i është bërë vonë për pasojat e një tërheqjeje të nxituar.
Top Channel