Kur kanë kaluar 21 muaj nga tërmeti tragjik i nëntorit, në Durrës pritet të nisë restaurimi i dy prej siteve të dëmtuara të trashëgimisë sonë kulturore, me mbështetjen e EU4Culture.
Alban Ramohitaj, Drejtor i Qendrës Muzeore Durrës: Brenda këtij muaji do të fillojnë punimet për Torrën Veneciane dhe Hamamin e qytetit, që nuk kanë qenë fort të vizitueshme, si të dëmtuara nga tërmeti. Fillon pjesa e restaurimit dhe rijetëzimit të këtyre objekteve.
Përpos restaurimit, synohet dhe rijetësimi, kthimi i siteve në atraksione turistiko-kulturore. Ndërkohë sinjale pozitive vijnë edhe për Muzeun Arkeologjik të Durrësit, nga më të rëndësishmit në rajon.
A. Ramohitaj, Drejtor i QMD: Do të fillojë shumë shpejt edhe këtu restaurimi, po dhe përfundimi i katit të parë dhe të dytë, pasi deri tani kemi të vizitueshëm vetëm katin 0. Do të kemi të vizitueshme dhe 2 katet e tjera të muzeut.”
Këtë vit, mbi 5 000 turistë kanë vizituar pavionet e këtij muzeu dhe Amfiteatrin Antik.
Gjatë historisë së tij, qyteti i Durrësit ka përjetuar edhe fatkeqësi të tjera natyrore, që nuk ia kanë zbehur bukurinë dhe madhështinë e trashëguar që nga antikiteti, edhe pse një pjesë e saj është dëmtuar nga zhvillimet e pakontrolluara urbane të dekadave të fundit.
“Jam italian, nga Lago Maggiore dhe muzeu i Durrësit është shumë i bukur. Qyteti edhe më shumë me muret dhe historinë e tij. Ua këshilloj të gjithëve. Ejani në Durrës se është një qytet fantastik”, shprehet një turist.
Top Channel