Amerikanët nisin evakuimin/ Afganistan, po largojnë stafin e ambasadës dhe civilët që kërcënohen nga talebanët

14/08/2021 14:40

Përparimi pothujse i pandalshëm i talebanëve në të gjithë Afganistanin vazhdoi edhe të Premten, pasi kryengritësit morën kontrollin e katër qyteteve të tjera , ndërsa të enjten pushtuan Kandaharin dhe Heratin, qytetin e dytë dhe të tretë më të madh.

Ndërkohë trupat amerikane kanë filluar të mbërrijnë në Afganistan për të ndihmuar në evakuimin e mijëra njerëzve, përfshirë stafin e ambasadës, afganët dhe familjet e tyre që punuan për ta.

Në Kabul, stafi i ambasadës amerikane është urdhëruar të fillojë copëtimin dhe djegien e materialeve të ndjeshme, ndërsa 3,000 trupa amerikane ishin në gatishmëri për të siguruar aeroportin dhe mbikëqyrur evakuimet.
Presidenti afgan Ashraf Ghani në një reagim për situatën tha se ri -mobilizimi i forcave të armatosura të vendit ishte përparësi kryesore

Siç e di, jemi të shqetësuar për të tashmen dhe të ardhmen tuaj; Unë mund t’ju siguroj se si President fokusi im do të jetë në shmangien e rritjes së paqëndrueshmërisë, dhunës dhe shpërnguljes së njerëzve të mi. Unë nuk do të lejoj që lufta e imponuar ndaj njerëzve të shkaktojë më shumë vdekje të njerëzve të pafajshëm, dhe të humbasim arritjet e 20 viteve të fundit, shkatërrimin e objekteve publike dhe vazhdimin e paqëndrueshmërisë. Prandaj, unë kam filluar konsultime të gjera brenda qeverisë dhe me udhëheqësit politikë, përfaqësues të njerëzve, partnerë ndërkombëtarë.”

Të Shtunën, talebanët filluan një sulm mbi Mazar-i-Sharif, një qytet i madh në Afganistanin verior,. Ndërsa militantët pushtuan edhe Pul-e-Alam, në provincën Loghar, vetëm 80 km larg nga kryeqyteti Kabul.

Inteligjenca ushtarake amerikane thotë se Kabuli mund të vihet nën kontroll brenda 30 ditëve dhe nëse vala e sulmeve vazhdon kështu talebanët ka të ngjarë të fitojnë kontrollin e plotë të vendit brenda disa muajsh
Situata po ndryshon me një ritëm marramendës.

Shkalla dhe shpejtësia e avancimit të talebanëve ka tronditur afganët dhe aleancën e udhëhequr nga SHBA që derdhi miliarda në vend pasi përmbysi talebanët pas sulmeve të 11 shtatorit gati 20 vjet më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA