Tuneli i Kalimashit është mbuluar nga tymi për shkak të zjarrit që ka përfshirë malin gjatë mbrëmjes së kaluar po gjatë mëngjesit autoritetet thanë se qarkullimi nuk është ndaluar .
Vatra e vogël e zjarrit mbi tunelin e Kalimashit nisi para 8 ditësh ndërsa mbrëmë mori përmasa aq të mëdha, sa ishte tepër e vështirë të vihej nën kontroll. Në vendngjarje mbërritën forca të ushtrisë dhe të zjarrfikësve, ndërsa në ndihmë erdhën dhe forca nga Kosova për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Kreu i Emergjencave, Haki Çako tha se ka qenë një natë e vështirë, por flakët janë vënë nën kontroll dhe se nuk rrezikohen zona të banuara
Çako: “Situata tashmë është nën kontroll të plotë të Forcave të Strukturave të Mbrojtjes Civile. Ka qenë një natë shumë e vështirë pasi është krijuar një ambient i vështirë për tunelin e Thirrës i cili është një korridor shumë i rëndësishëm i komunikimit midis dy trojeve tona, të Shqipërisë dhe Kosovës.Ka pasur një angazhim maksimal të të gjitha strukturave. Falë angazhimit të tyre, u shmang katastrofa për të depërtuar zjarrin në tunel. Tashmë jemi në një proces pune intensive, po punohet pasi janë rreth 3-4 vatra mbi tunel dhe në pjesën e malit, i cili krijon dekantimin e tymit dhe problemit që shkakton për shkak të djegies së pyjeve.”
Nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyhet për të bërë evakuimin e banorëve”, tha Çako.
Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana deklaroi se organet ligjzbatuese po punojnë për të gjetur autorë të zjarrëvënieve, ndërsa me bindje tha se zjarret janë vënë ose nga pakujdesia, ose në mënyrë të qëllimshme.
Kuçana: “Asnjë sekond nuk është ndërprerë kalimi i mjeteve dhe i njerëzve në tunel. Deri në 3 të mëngjesit ka vijuar puna, sot është me intensitet të lartë në Mal të Zi, në Lakun e Thive dhe në lagjen Laproi që bashkë me mjetet ajrore kanë bërë që të ndërpritet në njëfarë mënyre zjarri.
Ka pak tym në tunel, por po punohet. Ndërhyrja nga ajri ka filluar që në 5 të mëngjesit në njësinë administrative në Mal të Zi dhe tani shumë shpejt do të vijë këtu dhe do të dalë tek kodra sipër.”
Në ndihmë të forcave, janë edhe 34 zjarrfikës te Kosovës me 9 automjete për terren malor dhe mjete autocisterne për mbushjen me ujë.
Top Channel