Anëtarët e familjeve të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 i kanë bërë thirrje Presidentit Joe Biden të qëndrojë larg ngjarjeve përkujtimore, në rast se ai nuk i deklasifikon dosjet në lidhje me sulmet.
Gati 1,800 njerëz nënshkruan një letër duke i bërë thirrje atij të bëjë publike dokumente që ata besojnë se përfshijnë zyrtarë nga Arabia Saudite në sulmin fatal.
Ata thonë se nëse ai refuzon, atëherë nuk duhet të marrë pjesë në ceremonitë muajin tjetër për të përkujtuar 20 vjetorin.
Gati 3,000 njerëz vdiqën në 11 Shtator.
Sulmet u kryen nga grupi terrorist i Al Kaedës, thonë hetuesit dhe sollën pushtimin amerikan të Afganistanit. Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e avionëve ishin shtetas sauditë.
“Ne nuk mundemi që me mirëbesim, dhe me nderim për ata të humbur, të sëmurë dhe të plagosur, të mirëpresim presidentin në vendet tona të shenjta derisa ai të përmbushë angazhimin e tij,” thuhet në letrën e të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave.
Ata i bëjnë thirrje Presidentit Biden të qëndrojë larg nga tre vendet ku ndodhën sulmet – në Nju Jork, Virxhinia dhe Pensilvani.
Familjet kanë pretenduar prej kohësh se zyrtarët sauditë kishin njohuri paraprake për sulmin dhe nuk bënë asgjë për ta ndaluar atë. Ata kanë paditur qeverinë e Arabisë Saudite, e cila ka mohuar të jetë përfshirë.
Top Channel