“Lufta” me zjarret në Greqi nuk ka pushim! Prej ditësh vijon beteja me flakët që po përhapen me shpejtësi në disa zona në periferi të Athinës dhe deri tani ka lënë dhjetëra banese e biznese të shkrumbuara.
Gazetari i Top Channel në Athinë, Artur Bibe ka filmuar pamjet e tmerrit në Greqi. Ndërkohë është shënuar një viktimë në vendin e quajtur Ipokratio Politia, një zjarrfikës vullnetar i moshës 38-vjeçare.
Flakët janë gjigante ndërsa sasitë e ujit janë të vogla, ndaj puna e zjarrfikësve është tepër e vështirë. Zjarri ka marrë përmasa aq të mëdha sa tymi ka mbuluar të gjithë zonën.
Deri më tani janë numëruar me dhjetëra biznese dhe banesa të djegura nga flakët, ndërsa ajri i Athinës është ndotur aq shumë sa mund të ketë fluks të njerëzve me probleme me frymëmarrjen në spitale.
Ndërsa situata në pjesën më të madhe të vendit mbetet shumë e vështirë, prej ditës së djeshme është dhënë një urdhër nga Mbrojtja Civile për evakuimin e Ippokratio.
Top Channel