Policia e Dibrës ka goditur dy raste të prerjes së paligjshme të pyjeve në fshatin Bufull, Selishtë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, kanë ushtruar kontroll në fshatin Bufull, Selishtë, dhe si rezultat kanë konstatuar shtetasn I. L., duke transportuar një sasi prej 4 m3 lëndë drusore pa dokumentacion përkatës. Gjatë shoqërimit në Komisariat shtetasi I. L., ka tentuar të korruptojë me shpërblim në të holla punonjësit e policisë me qëllim shmangien e përgjegjësisë ligjore”, njofton policia.
Po ashtu është bërë i mundur ndalimi i shtetasit F. C., 61 vjeç, pasi gjatë kontrollit të zonës në fshatin Bufull, shërbimet e Policisë kanë gjetur të stivosura 8m3 lëndë drusore, të prera pa dokumentacion përkatës.
Si rezultat janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy Specialistë të Shërbimit Pyjor për ‘Shpërdorim Detyre’.
“Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar ka filluar procedimi penal si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim Detyre”, për shtetasit:M. B., 57 vjeç; H. Sh., 54 vjeç, (Specialist të Shërbimit Pyjor, Dibër), pasi nuk kanë ushtruar kontrolle mbi detyrimet ligjore për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve në sektorin përkatës duke lejuar që individë të kryejnë dëmtime të pyjeve në këtë zonë”, njofton policia.
Po ashtu është arrestuar edhe një 35-vjeçar, i cili u kap duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacion përkatës dhe gjatë shoqërimit në Komisariat ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë për shmangien nga përgjegjësia ligjore.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. L., 35 vjeç, banues në Selishtë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel