Presidenti Ilir Meta ka lënë mënjanë gjuhën kritikuese për keqmenaxhim të krizës së zjarreve nga ana e qeverisë teksa ka përshëndetur ndihmën e ofruar nga Bashkimi Europian për përballimin e situatës nga zjarret.
Një ditë pasi i bëri thirrje instancave shtetërore për organizimin e operacioneve më efikase nga ajri, kryetari i shtetit përmes një postimi bëri me dije se mirëpret aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile nga Bashkimi Europian për Shqipërinë. Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha që e ka vlerësuar si një lajm të mirë në këto moment kritike për Shqipërinë ndihmën e BE-së.
Me herët kryedemokrati nuk i kurseu ndaj Edi Ramës se po përdor helikopterët e ushtrisë për udhëtime private ndërsa Shqipëria digjet nga flakët. Postimin e tij Basha e shoqëron me një foto të një helikopteri ku opozita prej dy ditësh pretendon se brenda është kryeministri Rama.
Basha: Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi.
Top Channel