Thirrja e Bashës për Ramën dhe ndërkombëtarët: Ndalni me presion spastrimin e shqiptarëve nga serbët! Nuk e di sa kohë i ka kushtuar kryeministri…

29/07/2021 16:57

Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Bujanovcit Nakip Arifi, me të cilin bisedoi për problemet që hasin shqiptarët në luginën e Preshevës dhe të Bujanovcit.

Basha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ndërkombëtarëve që të ndalin spastrimin e shqiptarëve, për të cilët thotë se përballen me procesin diskriminues të pasivizimit të adresave. Nuk la pa përmendur takimin e Ramës me Vucic në Shkup duke thënë se nuk është në dijeni sa kohë i ka kushtuar kryeministri shqiptar problemit të shqiptarëve në Serbi.

Basha: Kemi folur hapur për sfidat dhe problemet me të cilët përballohen bashkëkombasit tanë në luginën e Bujanovcit dhe të Preshevës. Në këtë korrik të nxehtë, të nxehta mbeten problemet e mëdha të mbartura prej vitesh për shqiptarët e luginës së Preshevës ku do të veçoja spastrimin që po i bëhet komunës së Bujanovcit dhe Preshevës nga i ashtuquajturi proces i pasivizimit të adresave të shqiptarëve në këto komuna. Ky është proces diskriminues, në shkelje totale të kushtetutës së vetë Serbisë dhe angazhimeve të saj në kuadër të Këshillit të Europës dhe të dokumenteve të bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian të Serbisë ndaj PD dënon me forcë dhe i kërkon autoriteteve serbe nga kreu i shtetit tek qeveria e shtetit që të ndalin menjëherë këtë parti të paligjshme dhe i bën thirrje BE, KE, OSBE, SHBA që përmes presionit të drejtpërdrejtë të bëjnë gjithçka për të ndalur këtë spastrim etnik që po ndodh prej vitesh përmes pasivizimit të adresave ku vetëm në komunën e Bujanovcit, mbi 2 mijë qytetarë shqiptarë kanë humbur të drejtën e rezidencës, të sigurimeve shoqërore dhe të drejta të tjera që sigurojnë nga sigurimi i ligjshëm si banorë të kësaj komune.

Diskriminimi nuk ndalet këtu, e gjithë zona ka vetëm një institucion shëndetësor që është spitali i Vranjës. Ndonëse i shërben një territori prej 7 komunash, mbi 30% e popullsisë janë shqiptarë dhe nuk ka një mjek të vetëm shqiptar. Diskriminimi vijon me pengesat për studentët për të mësuar në gjuhën e tyre amtare dhe mosnjohjen e diplomave të studentëve që kanë studiuar në Prishtinë dhe Shqipëri. Këtë e shohim si përpjekje të stimuluar për të spastruar etnikisht luginën e Preshevës nga banorët shqiptarë. Kudo shurdhon heshtja e qeverisë së Tiranës.

Dua të theksoj se asnjë takim nuk duhet të shërbejë si alibi për të ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar për tu kujdesur për fatin e shqiptarëve kudo ku jetojnë. Fati i tyre i keq në qytetin e Bujanovcit është çregjistrimi i paligjshëm për të bërë një spastrim etnik. Nuk e di sa kohë i ka kushtuar Edi Rama këtij problemi kur flet me mikun e tij Vuçiç, dhe nëse i ka kushtuar ndopak kohë, e ka mbajtur sekretin mjaft mirë.

Top Channel