Nga “një cep në tjetrin”, Kroacia hap urën që lidh brigjet e Adriatikut!

29/07/2021 16:09

Kroaci hapi me fishekzjarrë e kremtime urën që lidh dy zona të bregdetit kroat, të cilat ndahen nga një pjesë e vogël e territorit të Bosnje e Hercegovinës.

Struktura 2.4 kilometra e gjatë, e ndërtuar nga një kompani kineze, është financuar 85% nga Bashkimi Europian. Vlera totale e urës Peljesac llogaritet në 550 million euro. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, tha gjatë ceremonisë se ura paraqet një arritje strategjike të popullit kroat dhe përmbush ëndrrën e gjatë për të lidhur dy brigjet e Adriatikut.

“Unë mendoj se kjo është një ngjarje e madhe për Kroacinë, popullin kroat, për miqtë tanë në Bosnjë dhe Hercegovinë, për kroatët në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një ngjarje e madhe që ne arritëm ta realizojmë jo vetëm si një ëndërr, jo vetëm me ndihmën e atyre që kanë punuar për gati 30 vitet e fundit për të, por me ndihmën e miqve tanë në Evropë, miqve tanë në Kinë”, tha ai.

Ura dhe rrugët lidhëse pritet të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm, dhe deri atëherë udhëtarët që duan të vizitojnë disa nga zonat më tërheqëse turistike të Kroacisë, si Dubrovniku, do të duhet të kalojnë dy vendkalime kufitare midis Bosnjës dhe Kroacisë në portin bregdetar boshnjak të Neumit.

Zyrtarët e Bosnjës nuk ishin të kënaqur kur filloi ndërtimi, me pretendimin se ura që anashkalon territorin boshnjak, shkel qasjen sovrane të këtij vendi në Adriatik. Plenkoviç theksoi se ura nuk do të ndajë, por do të lidhë njerëz dhe kombe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA