Solidariteti i shqiptarëve në Kroaci/ Dy vëllezërit nga Suhareka që jetojnë në Zagreb, pranë të lënduarve të aksidentit 

25/07/2021 19:38

Në Zagreb jetojnë dhe punojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh nga Kosova të cilët menjëherë sapo kanë marrë vesh lajmin e aksidentit tragjik janë nisur për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve.

Top Channel bisedoi me njërin prej tyre. Ai është Vilson Tunaj i cili tregon se në çfarë gjendje i gjeti dhe janë ata të cilët ia dolën të shpëtojnë. Me zotin Tunaj bisedoi gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

Ai thotë se disa janë akomoduar në hotel dhe nuk munden të dalin jashtë, ndërsa ata që janë në spital nuk lejohet që t’i vizitojnë.

“Gjendja është e rëndë, të aksidentuarit në spital nuk na lënë me i vizitu, këtu janë 14 që kan qenë në autobus më pak të aksidentuar, ndihma e parë e autoritete kroate janë këtu non stop me ndihma. Ata janë të lënduar, por në gjendje të mirë, janë në hotel nëpër dhoma, nuk munden të dalin jashtë. Shihni edhe pamjet, gjendja është e rëndë jashtëzakonisht e rëndë”, tha Tunaj për Top Channel.

Top Channel