Drejtori i ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike “Tokio 2020” u shkarkua, një ditë përpara se të nisë ngjarja.
Kentar Kobayashi, sipas disa pamjeve nga vitet 1990, që kanë dalë në publik së voni, ka bërë shaka me Holokaustin.
Shefja e Olimpiadës, Seiko Hashimoto, tha se videoja ku është shfaqur Kobayashi “përqesh fakte të dhimbshme të historisë”.
“Meqë ceremonia e hapjes është afër, ne kërkojmë falje për shkaktimin e shqetësimit për ata që janë të përfshirë në Lojërat Olimpike, për qytetarët e Tokios dhe publikun japonez”, tha Hashimoto.
Kobayashi, i cili dikur ka qenë aktor komik, tha se i vjen keq për komentet e bëra.
Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020” nisin më 23 korrik dhe përfundojnë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike.
Këto kanë qenë të parapara të mbahen vitin e kaluar, por janë shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Organizatorët janë duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus në mesin e atletëve dhe zyrtarëve.
Të enjten, ata thanë se 91 persona të akredituar për Lojërat, janë diagnostikuar me koronavirus.
Top Channel