“Po na marrin në qafë”, Biden: Pandemia po vazhdon tek të pavaksinuarit!

22/07/2021 13:00

Presidenti Joe Biden u shpreh i zhgënjyer mbi ngadalësimin e nivelit të vaksinimit kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara dhe theksoi se është “tejet e rëndësishme” për amerikanët që të vaksinohen kundër virusit ndërsa infeksionet po rriten përsëri.

Duke folur gjatë një takimi me pyetje-përgjigje nga publiku, në Cincinnati të shtetit të Ohajos, Presidenti amerikan e nënvizoi se kriza e shëndetit publik është kthyer kryesisht në një problem tek të pavaksinuarit.

“Ne kemi një pandemi mes atyre që nuk i kanë bërë vaksinat është kaq e thjeshtë”, tha ai gjatë takimit të transmetuar nga rrjeti televiziv CNN. Presidenti gjithashtu shprehu optimizëm se në muajt e ardhshëm autoritetet do ta miratojnë vaksinën për përdorim edhe tek fëmijët nën moshën 12 vjeç. Por ai kritikoi ata amerikanë që gëzojnë të drejtën të vaksionohen që ende hezitojnë ta marrin atë.

“Nëse jeni të vaksinuar, nuk do të shtroheni në spital, nuk do të futeni në njësinë kujdesit intensiv dhe nuk do të vdisni”, tha Biden. Deklarata e tij vjen ndërsa në Shtetet e Bashkuara rastet me COVID-19 gati u trefishuan gjatë dy javëve të fundit mes informacioneve të rreme rreth vaksinave që po mbingarkojne spitalet e po lodhin mjekët.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, pak mbi 56.2 për qind e amerikanëve kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Instituti Johns Hopkins nga ana tjetër tregoi se mesatarja 7-ditëshe e rasteve të reja me koronavirus në SHBA është rritur ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit.

Top Channel