India “ia hodhi”, ekspertët: 70% e popullatës, me antitrupa ndaj Covid!

22/07/2021 11:10

67% e popullatës në Indi ka krijuar anti-trupa ndaj Covid 19 sipas studimit më të fundit, që tregon se cfarë shtrirjeje ka pasur virusi në komunitetet e këtij vendi gjatë valës së dytë të pandemisë.

Studimi i katërt kombëtar në vend, që shqyrton prevalencën e antitrupave të koronavirusit, qoftë nga infektimi qoftë përmes vaksinimit, doli në përfundimin se mbi dy të tretat e popullatës prej 1.3 miliardë banorësh kanë shenja imunizimi.

Ai tregoi nga ana tjetër dhe ritmin e ngadaltë të vaksinimeve, sepse nga personat e verifikuar, rezultoi që 62.2% nuk ishin vaksinuar, pra antitrupat i kanë krijuar në mënyra natyrale, 24.8% kishin marrë një dozë dhe vetëm 13% ishin të vaksinuar plotësisht. Shifrat paraqesin një rritje dramatike të rasteve me antitrupa krahasuar me verifikimet e bëra në muajt dhjetor e janar kur rezultoi se vetëm 24% e popullatës i kishte krijuar ato.

Ishte vala e dytë ajo që i dha vendit goditjen më të fortë, por edhe një ndihmesë gjithashtu. Rezultatet e studimit sipas ekspertëve vendas, përbëjnë padyshim një rreze drite pas një periudhe mjaft të vështirë, edhe pse sic thanë ata, nuk duhet të bien ne vetëkënaqësi. India është vendi i tretë në botë, pas SHBA-së dhe Brazilit, që ka më shumë se 400,000 vdekje nga koronavirusi.

Top Channel