Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, avokatët kanë shprehur shqetësimin e tyre, për vonesat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në përgatitjet për gjykim.

Madje, mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se klienti i tij arsyeshëm po mendon që po mbahet peng.

“Shqetësimi është për mënyrën se si prokuroria po  vepron në këto procedon. Unë desha të them në emër të zotit Veseli që sidomos nën dritën e vendimit tuaj të fundit i nderuari gjykatës që nuk e keni dhënë liri të përkohshme, ai mendon, në mënyrë të arsyeshme, që ai po mbahet peng, ndërkohë që prokuroria po vazhdon të vonojë procesin e përgatitjes për gjykim”, ka thënë avokati i Veselit.

Ndërkohë prokurorja e rastit, Clarie Lawson ka kundërshtuar një gjë të tillë duke thënë se prokuroria i ka përmbushur detyrat e veta në mënyrë shumë të shpejtë duke ju përmbajtur afateve që i janë dhënë.

E këto i ka quajtur gjepura avokati Emmerson.

“Kjo e fundit që tha prokurorja, janë të gjitha gjepura, ata thonë që ndoshta mund të jenë gati për gjykim, fakti është se ata po flasin për një gjykim që nuk mund të fillojë deri në fund të 2021 dhe ata nuk janë përmbajtur afateve, unë mund të dëgjoj këtu parashtrimet e bëra që janë të përshtatshme e të vërteta, por ky parashtrim këtu nuk është njëri prej tyre”, ka thënë ai.

 

Për këtë ka folur edhe avokati i ish-presidentit Thaçi, Luka Misetiq, i cili tha se nuk mund të angazhohen në dorëzimin e dosjes paraprake derisa prokuroria nuk u nxjerrë materialet dhe shtynë afatet.

“Ne nuk jemi gati për gjykim sepse ZPS nuk na i ka nxjerr materialet të gjitha, ne kërkojmë që të jepen materialet e rregullës 95/4 brenda tetorit dhe për këtë ruajmë rezerva, sepse ende nuk jemi të sigurt nëse do të përmbushen këto afate apo jo. Në këto rrethana ne nuk jemi të gatshëm të angazhohemi sa i përket një dosje paraprake”, tha ai.

Këto qëndrime i kanë përkrahur edhe avokatët e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020 kur u bënë publike konfirmimet për aktakuzat ndaj tyre, nën pretendimin për kryerjen e krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit.

Ish-krerët e UCK-së në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara u deklaruan të pafajshëm për të gjitha aktakuzat të cilat i ngarkojnë.

Konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj tyre do të mbahet më 13 ose 14 shtator, siç propozoi gjyqtari i procedurës paraprake i cili u mbështet edhe nga prokuroria dhe avokatët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA