“Ku jeni, po na qëllojnë”, momentet e fundit të presidentit të Haitit përpara se të vritej

19/07/2021 22:34

Pak çaste përpara se të vritej presidenti i Haitit Jovenel Moïse i ka kërkuar ndihmë komisarit të policisë kombëtare dhe një oficeri policie.

“Ata po gjuajnë drejt shtëpisë, mobilizoni njerëzit”, mësohet ti ketë thënë ai një komisari policie, rreth orës 01:34.

Ndërkohë një tjetër telefonatë e ka realizuar me një oficer policie, ku e pyeti se përse nuk kishin mbërritur ende në ndërtesë.

“ Ku jeni? Kam nevojë për ndihmën tuaj tani. Më rrezikohet jeta. Hajdeni shpejt”, ka thënë ai.

Polici ka thënë për media e huaja se pas thirrjes për ndihmë, ai ka dëgjuar zhurmën e një pushke.

Përreth 2 javë nga vrasja e tij hetuesit po analizojnë faktin se si  një grup mercenarësh kolumbianë përgjegjës për vrasjen e 53-vjeçarit, arritën të kalonin tri patrulla policie dhe agjentët e sigurisë për të arritur tek rezidenca e cila ishte e rrethuar.

Mediat e huaja raportojnë se oficerët e policisë të cilët u nisën drejt shtëpisë së presidentit u ndaluan rrugës nga një makinë brenda së cilës ndodheshin disa persona të armatosur, si dhe oficerë të policisë haitiane.

Gjithashtu një oficer policie tregoi se kishte parë një grup personash të armatosur rëndë, të identifikuar si kolumbianë, të veshur me bluza të bardha, ndërsa kanë thërritur: “Operacion i DEA-s, zmbrapsuni”.

24 oficerë ishin caktuar për të qenë pjesë e grupit të sigurisë së Moïse, por deri më tani policia ka refuzuar të thotë se sa persona kanë qenë të punësuar natën e vrasjes dhe asnjë prej tyre nuk është lënduar gjatë kësaj ngjarjeje.

Deri më tani hetimi ka çuar në arrestimin e 18 kolumbianëve dhe dy amerikan-haitianëve që dyshohet se janë të përfshirë.

3 mercenarë kolumbianë mbetën të vrarë, ndërsa 5 të tjerë janë në arrati.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel