Drejtuesit e Interit e shpallin të pashitshëm mesfushorin Nicolo Barrella. Futbollisti nga Sardegna ishte i shkëlqyer për skuadrën e drejtuar nga trajneri Roberto Mancini dhe një ndër lojtarët më të mirë të kampionatit të fundit Evropian, e me një paraqitje të tillë natyrisht 24-vjeçari nga Cagliari u shndërrua vetvetiu edhe në një prej mesfushorëve më të kërkuar në merkato.
Për lojtarin sard krijuan interes pa humbur kohë edhe drejtuesit e klubeve si Manchester United e Liverpool. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer kërkon gjatë kësaj vere një futbollist për të përforcuar repartin e mesit të fushës, sidoqoftë lojtari i talentuar italian është gjithashtu edhe në listën e dëshirave të klubit të famshëm nga Merseyside. Nicolo Barella ishte padyshim një ndër lojtarët më të spikatur të edicionit të kaluar në Apenine, sezon që kulmoi me kurorëzimin e klubit zikaltër me “scudetto”-n pas plot 11 vjetësh.
Forma e tij shumë e mirë përgjatë evropianit të fundit ka influencuar deri në atë pikë sa për të katapultuar çmimin e mesfushorit nga Sardenja deri në vlerën e 65 milionë eurove. Barella është një lojtar tepër i dashur edhe për tifozerinë zikaltër, sidomos tani që Italia fitoi me meritë të plotë trofeun e dytë kontinental. Më herët u fol shumë për një balancim të mundshëm të bilancit nga ana e krerëve të klubit, pavarësisht shitjes së një futbollisti si Achraf Hakimi, që u transferua në Francë, në radhët e Paris SG.
Kështu “Tuttomercatoweb” ka shkruar se ekipe si United dhe Liverpool ishin të gatshëm për të përfituar, nëse krerët e Interit do të synonin mbushjen e arkave të klubit zikaltër, gjithsesi më vonë radhën e pati “La Republica” që zbuloi se skuadra e drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp po bëhej gati për të ofruar plot 60 milionë stërlina, për shërbimet e mesfushorit nga Cagliari. Tani gjithçka bie poshtë dhe pa u përhapur mirë një lajm i tillë u përgënjeshtrua me shpejtësi nga vetë krerët e klubit të mirënjohur lombard, të cilët deklaruan pa humbur kohë se Nicolo Barrella konsiderohet i pashitshëm.
Mendohet se problemet ekonomike të Interit u zgjidhën pas shitjes së Achraf Hakimi-t te klubi parizien, për shifrën e 60 milionë paundëve. Është e qartë që me problemet e shumta që ka shkaktuar virusi Covid – 19 dhe frika e përhapjes së pandemisë së koronavirusit situata e zikaltërve në aspektin financiar nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme. Në mënyrë të kuptueshme me afrimin e trajnerit të ri Simone Inzaghi ambiciet e krerëve të klubit zikaltër nuk ndryshojnë aspak dhe pasi zbritën “zonjën e vjetër” nga froni pas plot 9 “scudetto”-ve rresht drejtuesit e Interit do të bëjnë çmos për të mbrojtur titullin në Serinë A.
Kështu krerët e United apo dhe Liverpool-it duhet të përqendrojnë vëmendjen diku tjetër për të përforcuar skuadrat e tyre. Te “djajtë e kuq” po merr përparësi ideja e 18-vjeçarit tepër të talentuar Eduardo Camavinga, ndërkohë në krahun tjetër tentativat e klubit nga Merseyside për të rrëmbyer mesfushorë të tillë si Saul Niguez nga Atletico e Madridit dhe Youri Tielemans nga Leicester City duken krejtësisht të kota, kështu që trajneri Jurgen Klopp duhet të kthejë vështrimin në një tjetër drejtim, për të gjetur zëvendësues për holandezin Georginio Wijnaldum.
Top Channel