Protestat e rralla në Kubë/ Qytetarët i kërkojnë qeverisë demokraci dhe vaksina anti Covid

12/07/2021 09:32

Mijëra njerëz protestuan kundër qeverisë komuniste të Kubës në kryeqytetin Havana dhe disa qytete të tjera.

Protestat ishin më të mëdhatë në ishull në gati 30 vjet.
Marshuesit bënë thirrje për liri dhe demokraci, si dhe kërkuan vaksina për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Protestat, të cilat janë të rralla në Kubë, vijnë në kohën kur ky vend po raporton shifra rekorde të të infektuarve me koronavirus.
Të dielën, autoritetet shëndetësore atje regjistruan afro 7,000 raste të reja dhe 47 viktima.

Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, u bëri thirrje mbështetësve të tij që “t’i luftojnë” protestuesit në Havana. “Ne u bëjmë thirrje të gjithë revolucionarëve të vendit, të gjithë komunistëve, të dalin në rrugët ku ndodhin këto provokime… dhe t’u kundërvihen atyre në mënyrë të vendosur dhe të guximshme”, tha presidenti.

Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, paralajmëroi Kubën kundër sulmeve ndaj protestuesve.
SHBA-ja mbështet lirinë e shprehjes dhe tubimit në të gjithë Kubën dhe do të dënojë fuqishëm çdo dhunë ose shënjestrim të protestuesve paqësorë, që ushtrojnë të drejtat e tyre universale”, shkroi Sullivan në Twitter./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel