Stuhia “AGNETA” godet Greqinë, përmbytje në disa ishuj dhe alarm për orët në vijim
Gazetarja e njohur e BBC-së, Laura Kuenssberg, ka zbuluar disa episode të sjelljes së papërshtatshme nga politikanë britanikë, të cilat i ka përjetuar gjatë karrierës së saj. Rrëfimet janë përfshirë në librin e saj të ri, ku ajo përshkruan ngacmime dhe situata të sikletshme me disa figura të politikës.
Një nga episodet lidhet me një ministër të qeverisë, i cili dyshohet se mund të ketë tentuar ta përfshinte gazetaren në një treshe seksuale gjatë një konference politike. Kuenssberg tregon se ishte ftuar në dhomën e hotelit të ministrit për të pirë diçka.
Kur mbërriti, aty ndodhej edhe partnerja e tij, ndërsa ministri ishte i shtrirë në krevat, me disa kopsa të këmishës së zbërthyera. Gazetarja thotë se përfundoi pijen dhe u largua.
E pyetur nga gazeta “The Times” nëse politikani i lartë kishte synuar të kryente marrëdhënie treshe me të, ajo u përgjigj se kjo ishte e mundur, por nuk përjashtoi as mundësinë që ta kishte keqkuptuar situatën.
“Epo, ndoshta po dhe ndoshta jo. Siç thashë, ndoshta jo dhe unë e kam kuptuar plotësisht gabim. Ishte shumë e sikletshme”, deklaroi ajo.
Një tjetër episod i rrëfyer në libër lidhet me një ministër të martuar, me të cilin gazetarja zhvillonte takime jozyrtare për të diskutuar çështje politike. Ai e kishte ftuar në teatër, ku, sipas saj, e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme.
Kuenssberg tregon gjithashtu se një tjetër politikan e përshëndeste duke e puthur në kokë, ndërsa një anëtar i Dhomës së Lordëve i kishte dërguar një mesazh që ajo e cilësoi si “shumë rrëqethës”, duke komentuar veshjen e saj gjatë një transmetimi televiziv.
Gazetarja ka vendosur të mos bëjë publikë emrat e politikanëve të përfshirë dhe as partitë politike që ata përfaqësojnë. Rrëfimet në librin e ri hedhin dritë mbi përvojat personale të gazetares dhe sjelljet e papërshtatshme që, sipas saj, ka hasur gjatë raportimit dhe kontakteve me figura të larta të politikës britanike.
Top Channel