Aksident i frikshëm në Itali, makina shpëton mrekullisht pa rënë në humnerë, shoferi mbetet i bllokuar

02/11/2026 16:48

Një aksident i rëndë është regjistruar të dielën në Positano të Italisë, ku një automjet përfundoi i varur në buzë të një shkëmbi, pasi shoferi humbi kontrollin dhe u përplas me barrierat mbrojtëse të rrugës.

Ngjarja ndodhi në Via Guglielmo Marconi, një prej rrugëve të qytetit bregdetar në Bregun e Amalfit, në provincën e Salernos.

Sipas mediave italiane, në timonin e automjetit ndodhej një i ri, i cili, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, humbi kontrollin e makinës.

Mjeti u kthye dhe u përplas me forcë me kangjellat mbrojtëse, duke i shkatërruar ato dhe duke përfunduar pezull në buzë të shkëmbit, me rrezikun e rënies në humnerë.

Pavarësisht situatës së rrezikshme, shoferi arriti të dilte vetë nga automjeti. Fatmirësisht, ai nuk ka pësuar lëndime të rënda.

Top Channel