Lulzim Basha kërkon që statuti i ri të vazhdojë të mos jetë pengesë për rikandidimin e tij në krye të PD edhe nëse ai humbet sërish zgjedhjet parlamentare.

Në asnjë prej 15 faqeve te propozimeve të kryedemokratit nuk parashikohet dorëheqja e tij si kryetar në rast disfate elektorale.

Lidershipi demokrat i kufizon vetes kompetencat për përzgjedhjen e kryebashkiakëve duke sanksionuar detyrimin e konsultimit me anëtarësinë për kandidatët për pushtetin vendor, të cilët propozohen më pas nga kryetari dhe marrin miratimin e forumeve te larta të partisë.

Ndryshimet statutore të Lulzim Bashës prekin përbërjen e disa forumeve më të larta të partisë si këshilli kombëtar apo Kryesia e cila zgjerohet sërish duke përfshirë si anëtarë të saj për shkak të funksionit, kryetarin e Këshillit Kombëtar, si edhe kryetarët e Bordit Financiar, Komisionit Zgjedhor dhe atij të Apelimit , integritetit dhe Etikes.

Kryesia e partisë mund të ndërhyjë në refuzimin e kandidaturave të përzgjedhura nga organet vendore të partisë, por nga ana tjetër i kufizohen kompetencat pasi i hiqet e drejta për miratimin e marrëveshje politike, duka ia lënë vulën finale vetëm Këshillit Kombëtar.

Ndryshe nga sa është sanksionuar në statutin e vjetër, kryetari i Këshillit Kombëtar propozohet të zgjidhet mes të paktën dy kandidaturave alternative.

Ajo që bie ne sy e statutin e vjetër është që Këshilli Kombëtar , me propozim të Kryesisë ose Kryetarit , zgjedh dhe shkarkon, me votim të fshehtë: Kreun e Këshillit ; Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët dhe Anëtarët e Kryesisë ndërkohë në ndryshimet e propozuara nuk përcaktohet mënyra e votimit.

Numri për zëvendësit e kryetarit demokrat nuk është i përcaktuar sërish, por ndryshe nga statuti i vjetër hiqet detyrimi që kreu i grupit parlamentar të jetë njëherësh edhe nënkryetar.

Top Channel