Festival në Porto Palermo/ Nis të premten me korin e Himarës dhe Marsela Çibukaj

12/07/2021 19:47

Porto Palermo festival do të mbledhë në Kalanë e Ali Pashës pushuesit e bregdetit të Jonit, çdo fundjavë, duke filluar nga 15 korriku deri më 15 gusht.

Ky festival organizohet nga Olen Cesari dhe do të fillojë të premten nëpërmjet performancës së Korit të Himarës dhe Marsela Cibukajt.

Olen Cesari: Porto Palermo, Vendi, kështjella është korniza më e bukur që mund të ketë ky festival. Kemi menduar që ta zgjasim në harkun kohor të një muaji. Festivali do të jetë cdo të premte të shtunë, ndërsa në javën e katërt që ka më shumë njerëz do të ketë tre koncerte.

Të ftuar përgjatë javëve do të jenë Daniele di Buonaventura, Eden Loren dhe Laura Bredam, Gezim Myshketa, Elina Duni, Kastriot Tusha e Vikena Kamenica. Ndërsa Olen Cesari trio do të jetë pjesë e të gjitha mbrëmjeve.

Olen Cesari: Në të gjithë eventin dhe gjithë kohën që artistët do të përformojnë do të jem dhe unë i ftuar i koncertit të tyre, me ndërhyrje, pjesë, bashkëpunime.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci njoftoi se Cesari sapo është ndëruar me dekoratën Komendator të Urdhrit Ylli i Italisë, që do t’i jepet në fund të shtatorit.

Fabrizio Bucci: Mënyra më e mirë për të rifilluar është të festojmë, me muzikë, art apo sport. Uroj që dhe fitorja e djeshme të simbolizojë një moment rilindjeje. Përfitoj nga rasti për të thënë që Olen është nderuar me një dekoratë nga presidenti i republikës italiane. Me një dekoratë tejet të rëndësishme për rolin e tij në bashkimin e dy popujve. Unë do të kem rastin t’ja dorëzoj personalisht në javët në vijim.

Top Channel