Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.
Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe proceduar penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin R. B., 29 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Shënkoll”, Elbasan, u konstatua duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë në lokalin që administronte, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, si dhe nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të Policisë duke refuzuar mbylljen e aktivitetit me muzikë.
Nga shërbimet e Policisë, në bazë të Aktit Normativ, është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në Aktin Normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.
Top Channel