Bizneset dhe konsumatorët kanë rritur besimin te ekonomia, pasi treguesi i ndjesisë ekonomike u përmirësua për të shtatin muaj radhazi.

Ecuria pozitive e këtij treguesi që sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë arriti në 105.7% në qershor është ndikuar nga rritja e besimit të sipërmarrjeve në sektorët e shërbimeve dhe tregtisë, si rrjedhojë e ecurisë më të mirë të bizneseve dhe rritjes së kërkesës.

E kundërta ka ndodhur me industrinë, pasi besimi i bizneseve ka rënë si si rrjedhojë e tkurrjes së kontratave porositëse nga eksportet, teksa ai në ndërtim ka mbetur thuajse i pandryshuar.

“Fakti që sektori i shërbimeve dhe tregtisë po shfaqin një vijueshmëri më pozitive reflekton nga njëra anë strukturën e ekonomisë, por nga ana tjetër kapacitetet shfrytëzuese të tyre janë te rreth 75% çka tregon se me gjithë rikthimin në këtë tendencë pozitive akoma ka një gropë të madhe për t’u mbushur që ato te funksionojnë me kapacitete të plota. Industria dhe industria akoma nuk është në një ritëm përmirësimi sepse varet shumë dhe nga situate më vendet fqinje drejt të cilave eksportojmë.”Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Pritshmëritë më optimiste për situatën e përgjithshme ekonomike kanë bërë që të rritet edhe besimi i konsumatorëve me 0.4%.  Por, për ekspertin Adrian Civici, është ende larg normalitet edhe si rrjedhojë e pasigurive për të ardhmen.

“Konsumi është akoma në dyshim sa I përket ecurisë pozitive. Një ndryshim strukturor sa i përket atyre që quhen blerjet e mëdha që kanë të bëjnë me apartamente, makina akoma nuk po kthehen në nivelin e duhur të tyre.” Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Sipas Civicit, rikthimi në normalitet do të kërkojë kohë dhe duhet të përfshijë politika ndihmuese thuajse për të gjithë sektorët për të mbështetur ndryshimet strukturore, veçanërisht në drejtim të tregut të punës.

Top Channel