Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 18 Qershor 2024, bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari.

Padia e parë në Kushtetuese u depozitua në muajin shkurt 2024 nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Më pas në muajin mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj për moszbatimin e ligjit si antikushtetues, në një padi të tretë më 19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesat e jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM), Shoqata “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, do të zhvillohen në seancë plenare publike më 18 Qershor. https://www.gjk.gov.al/web/Seancat_gjyqesore_Qershor_2024_2895_1-91.php

““Shfuqizimi i pjesshëm i nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për sa i përket profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, që i referohet nënndarja 69, për profesionin të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor dhe profesionit të avokatit, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si dhe nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, nënndarja 69, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, për pjesën që i referohet profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi””, citohet në padi.

Top Channel