…A keni arritur ndonjëherë në atë pjesë kur në monologët me veten shpesh shfaqet pyetja: ”A ia vlejti?” Mos ka filluar t’ju flasë nënvetëdija, t’ju thërrasë e t’ju hapë sytë? A po përballeni dhe ju me të shkuarën? Apo mos vallë personazhi im po futet thellë në mendimet tuaja? “Ndal!”‒ thuaji. ‒ Ndal!”

Sepse e shkuara të vret, e tashmja është një mister dhe e ardhmja një nënvetëdije që di gjithçka. Unë mund t’ju flas, por është më mirë të flasë vetë kjo histori. Të flasin vetë shkronjat. Është më mirë të ndiejë pena sesa të dhembë shpirti… Ndaj kursejini lotët e merrni një mësim. Rregulloni gabimet e të parëve tuaj e ndalni një hakmarrje që u nis për një sedër, një krenari e një kryeneçësi, por, mbi të gjitha, një moskokëçarje për brezat që do të vinin. Kur ata nuk menduan për ju, përse duhet të mendoni ju për ta?!

Vajza që shihte nga një dritare e vogël tërë botën e madhe. Çdo mbasdite, benzi i shtrenjtë ecte në rrugët e qytetit si një hije, kalonte kudo nëpër to, madje njihte çdo rrugë e skutë të atij qyteti. Por vajza brenda nuk e kishte hapur kurrë atë derë, nuk i kishte shkelur kurrë rrugët e atij qyteti, ashtu si asnjëherë nuk e kishte ndier shijen e lirisë. Të gjithë e ëndërronin jetën e saj, ajo ëndërronte të tyren. Protagonistja jonë kishte një botë reale të sajën larg nga çdo gjë dhe afër atyre që donte, afër jetës së thjeshtë që kërkonte, por ajo kurrë nuk eci në rrugën e saj. Ishte një e palumtur, së cilës i ishte ndaluar dalja në rrugët, ku ecnin njerëzit e thjeshtë. Ajo nuk mund të jetonte jetën e saj, ashtu si donte, sepse e njihnin të gjithë. Çdo gjë që bënte, një foto e saj, bëhej lajm. Gazetarët gjithnjë i pushtonin shtëpinë. Ajo ishte Nora Girlfild dhe televizionet për t’u informuar dhe për të bërë lajm jetën e saj private ishin të gatshëm edhe për t’u përballur me një mal me kërkesëpadi.
Drama është që personazhit kryesor i vdesin prindërit për shkak të gjakmarrjes. Vajza duhet të vazhdojë të marrë hak apo të heqë dorë etë vazhdojë jetën e saj?

Dy fjalë për autoren

Xhesi (Xhesjana Qosja) u lind në Elbasan. Është 21 vjeç. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Inkus”, nga ku dhe u vlerësua me certifikatë mirënjohjeje. Ajo studion për drejtësi në universitetin “Luarasi” dhe është autore e tre librave. Gjithashtu ajo është edhe menaxhere. Xhesi ka faqen e saj në instagram, ku poston shprehjet e librave (xhesi.qosja). Ajo e zbuloi talentin në moshën dhjetëvjeçare, kur nisi të shkruante librin e saj të parë.

Top Channel