Rrëfimit trilogjik “Kthimi” i autorit Dodë Gjergji, botuar nga Shtëpia Botuese “Drita”, në bashkëpunim me Botimet “55” vlerësohet si një vademekum i identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor. Aimbart mesazh për një rilindje në identitet dhe të vërtetën e shqiptarëve.

Romani “Kthimi” i Dodë Gjergjit, në tri vëllime që autori e quan rrëfim, me temën e vet është ndër veprat më tronditëse për shpirtëri e tragjedi në një cep të Dardanisë. Por është edhe rrëfim për të kaluarën dhe të tashmen tonë: identitetin kombëtar e shpirtëror, fatin e fatkeqësinë.

Kush jemi dhe kush ishim? Rrëfimi të mbanë pezull, është dinamik, shpalon pjesë nga historia jonë e dhimbshme, ka një galeri protagonistesh, fatet e të cilëve ndërthuren, ka shumë detaje të njohura e më pak të njohura, ka dramën që zhvillohet para teje me shpejtësi filmi. Romani “Kthimi” vlerësohet si një roman i ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv për rrënjët identitare të popullit tonë.

Dy fjalë për autorin

Dom Dodë Gjergji lindi në Stubllë të Kosovës më 16 janar 1963 është Administratori Apostolik i Kosovës.U shugurua meshtar më 15 gusht 1989 në dioqezën e Shkup-Prizrenit, ku filloi të kryente shërbimin meshtarak.Më pas, gjithnjë në këtë dioqezë, punoi si redaktor i revistës ‘Drita’ dhe si përgjegjës për botimin e librave liturgjike në gjuhën shqipe. Nga viti 1991 deri më 1994 qe Kapelan i shqiptarëve në Kroaci. Më pas shërbeu si famullitar në Kallmet, në dioqezën e Lezhës (Shqipëri), ku vijoi të kryente misionin si ‘fidei donum’ nga viti 1994 deri në vitin 2000. Më 5 shkurt 2000 u emërua Administrator Apostolik i dioqezës së Sapës. Më 25 nëntor 2005 u zgjodh Ipeshkëv i Sapës. U shugurua ipeshkëv më 5 janar 2006. Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI e emëroi Administrator Apostolik të Prizrenit (Kosovë), duke e transferuar nga Dioqeza e Sapës (Shqipëri) ku shërbente më parë.Administratori Apostolik i Kosovës, përveç shqipes, flet edhe serbisht, kroatisht, italisht e gjermanisht.

Top Channel