Kryeministri i Luksemburgut i prekur me COVID/ Në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme në spital

06/07/2021 18:14

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel ndodhet në gjendje serioze por të qëndrueshme në spital pasi u prek nga COVID-19.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Bettel u shtrua në spital pasi kishte vështirësi në frymëmarrje.

Bettel mori dozën e tij të parë të vaksinës AstraZeneca më 6 maj dhe kishte për të marrë dozën e tij të dytë.

“Gjatë kësaj fundjave, simptomat e vëzhguara ishin të pranishme, gjë që bëri që Kryeministri të shtrohej në spital. Në atë kohë, u diagnostikua ngopja e pamjaftueshme e oksigjenit dhe Kryeministri ka qenë nën vëzhgimin e vazhdueshëm mjekësor. Gjendja aktuale mjekësore e kryeministrit konsiderohet e rëndë, por e qëndrueshme. Prandaj, stafi mjekësor që trajton kryeministrin ka vendosur që shtrimi në spital është ende i nevojshëm në mënyrë që të mbahet nën vëzhgim”, thuhet në deklaratë nga qeveria..

Bettel do të vazhdojë të jetë në krye të vendimeve të qeverisë ndërsa është në spital, por Ministri i Financave. Pierre Gramegna  i vendit do të jetë përgjegjës për nënshkrimin e dokumenteve zyrtare në mungesë të Bettel.

46-vjeçari rezultoi pozitiv me koronavirus 1 javë pas samitit 2-ditor të BE-së në Bruksel në fund të muajit qershor, ku mes pjesëmarrësve ishin presidenti francez Emanuel Macron, kancelarja gjermane Angela Merkel e lidera të tjerë europianë.

Luksemburgu, një nga kombet më të vogla të Evropës me një popullsi prej mbi 600,000 personash ka regjistruar një rritje të lehtë të infeksioneve në ditët e fundit.

Gjatë periudhës nga 21 deri në 27 qershor, 107 njerëz u testuan pozitivisht me Covid-19.

Vendi ka raportuar 71,429 infeksione dhe 818 viktima që nga fillimi i pandemisë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Deri më tani, 34,99% e popullsisë është vaksinuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA