Një avion rus me 29 persona në bord është zhdukur në gadishullin lindor të Kamchatkas, raportuan mediet lokale duke cituar autoritetet.
Avionic Antonov An-26 po fluturonte nga Petropavlovsk-Kamchatsky drejt Palanas kur humbi kontaktin me kontrollorët e trafikut e trafikut ajror gjatë një përpjekjeje për t`u ulur në tokë, raportojnë agjencitë Interfax dhe RIA Novosti.
Ato thonë se mes personave në bord kishte dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit si dhe disa fëmijë. Ka të dhëna kontradiktore mbi atë që mund të ketë ndodhur. Një burim i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se aeroplani mund të jetë rrëzuar në det ndërsa një tjetër pohoi për Interfax se mund të ketë rënë afër një miniere qymyri pranë qytetit Palana.
Kërkimet kanë nisur menjëherë e në to janë përfshirë të paktën dy helikopterë ndërsa punonjësit e shpëtimit janë në zonë. Rusia, dikur e njohur për aksidentet ajrore, e ka përmirësuar sigurinë e trafikut ajror këto vitet e fundit. Megjithatë standardet e sigurisë lënë ende për të dëshiruar e kombinuar këto dhe me mirëmbajtjen e dobët të avionëve, kanë sjellë disa aksidente vdekjeprurëse.
Më i fundit prej tyre ishte ai i majit 2019, kur një Sukhoi Superjet u rrëzua dhe u përfshi nga flakët në aeroportin e Moskës, duke i marrë jetën 41 personave. Shkurtin e 2018, një aeroplan Saratov Airlines An-148 u rrëzua po pranë kryeqytetit fill pas ngritjes në ajër, duke vrarë të gjithë 71 personat në bord.
Një hetim më vonë arriti në përfundimin se aksidenti ishte shkaktuar nga një gabim njerëzor.
Top Channel