Me mijëra pensionistë kanë mbetur pa të ardhura në periudhën e pandemisë pasi nuk kanë arritur dot të tërheqin pensionet. Janë këto rezultatet e auditimit të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sipas të cilit kjo problematikë është hasur veçanërisht muajt e karantinës kur lëvizja ishte e kufizuar.
Mijëra pensionistë mbetën pa të ardhura gjatë pandemisë Covid-19 vitin e kaluar.
Në një auditim të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për Institutin e Sigurimeve Shoqërore mbi Fondin Rezervë të këtij institucioni, rezulton se megjithëse fondet ishin në dispozicion ato nuk janë përdorur.
Kjo pasi gjatë periudhës mars-maj që përkon me vendosjen e plotë të karantinës dhe rrjedhimisht kufizimit të lëvizjeve, duke bërë të pamundur marrjen e pensioneve.
“Një numër i lartë i pensionistëve nuk kanë mundur të tërheqin pensionin e tyre, ku gjatë muajit mars konstatohen 174,890 përfitime të pa tërhequra, gjatë muajit prill 162,450 përfitime të pa tërhequra dhe gjatë muajit maj 160,450 përfitime të pa tërhequra,” thuhet në raportin e KLSH-së.
Edhe pse qeveria përmes një akti normativ vendosi dërgimin e pensioneve në shtëpi për të shmangur radhët e gjata në sportele thuhet në raport, të moshuarit pensionistë që jetonin në zonat e largëta ku nuk ka një sistem adresat mbetën pa përfitime.
Ndër të tjera, kritika KLSH ngre edhe për mungesën e mbështetjes për këtë kategori për të lehtësuar përballimin e situatës së pandemisë, sië bënë vendet e rajonit, si dhe për masën e indeksimit të pensionit që sipas tij u bë më i ulët nga planifikimi.
Tjetër problematikë e konstatuar ka të bëjë me lidhjen e pensioneve të reja, pasi nga auditimi i kryer rezulton që rreth 50% e individëve që do të aplikoni për pension nuk kanë arritur të aplikojnë dot për shkak të mbylljes së Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore.
Nisur nga problematikat dhe ankesat e shumta të pensionistëve ku vetëm në pjesën e parë të vitit janë bërë rreth 18 mijë të tilla, KLSH rekomandon Institutin e Sigurimeve Shoqërore që të marrë masa për vendosjen e komunikimit të nevojshëm me qytetarët, pasi sipas tij ky institucion nuk ka një plan masash për menaxhimin e situatës me pandeminë.
Top Channel