Një i ri shqiptar ka ndërruar jetë në spitalet e Italisë pasi është rrahur brutalisht me sende të forta nga një grup ende i paidentifikuar personash.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Mantova në veri të Italisë. Viktima, sipas mediave italiane është identifikuar si 23-vjeçari shqiptar Atilio Ndrekai, ndërsa i plagosur dhe në gjendje të rëndë për jetën një miku i tij italian i moshës 35-vjeçare, Pier Francesco Ferrari, i cili rezulton se ka qenë i dënuar për drogë.
Policia thotë se ka sekuestruar leva dhe shkopinj bejsbolli në vendin e ngjarjes, në një parkim në zonën e Mottella-s ku u rrahën nga 4-5 persona me shkopinj bejsbolli.
Për momentin, për autorët nuk jepen më shumë detaje dhe as shkaqet e sherrit masiv.
Duke iu referuar policisë, mediat italiane thonë se 23-vjeçari shqiptar dhe miku i tij italian kanë qenë duke pirë kafe në një qendër tregtare të zonës, kur pas një telefonate kanë lëvizur dhe janë larguar drejt parkingut të kësaj qendre.
Aty besohet se ka nisur konflikti me grupin e personave të tjerë, që për momentin mbeten ende të paidentifikuar.
Top Channel