Debate te Komisioni ‘Xhafaj’ për ngërçin GJKKO dhe avokatëve/ Xhixho: Situatën po e vuan në kurriz Meta. Kreu i KLGJ: Rregullorja është kompetencë e…
Policia ka parandaluar një tjetër vrasje të dyshuar si hakmarrje për ekzekutimin e 40-vjeçarit I. Gj., ngjarje e ndodhur më 9 korrik 2026 në Kurbin.
Në kuadër të operacionit të koduar “Argos”, është arrestuar vëllai i viktimës, 37 vjeç, i cili lëvizte me një automjet të blinduar me targa gjermane dhe ishte i armatosur me një armë zjarri automatike.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga ka rënë shtetasi Emanuel Gehard, alias Basha, alias Lika, 37 vjeç, banues në Kurbin, me precedentë të mëparshëm kriminalë.
Arrestimi u krye në Fushë Milot, ku shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, të blinduar dhe me targa gjermane, që drejtohej nga 37-vjeçari.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një armë zjarri automatike e tipit “Skorpion”, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë. Automjeti dhe arma u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Operacioni “Argos” u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.
Sipas Policisë, ndërhyrja erdhi pas monitorimit të vazhdueshëm të situatës kriminale në qark, analizimit të ngjarjeve të mëparshme dhe ndjekjes së dinamikës së tyre, me qëllim parandalimin e krimeve të tjera.
Autoritetet dyshojnë se ngjarja e mundshme kriminale lidhej me hakmarrjen për vrasjen e 40-vjeçarit I. Gj., i njohur edhe me disa identitete të tjera, i cili u vra më 9 korrik 2026 në Kurbin.
Ndërkohë, vijojnë hetimet dhe puna policore për identifikimin dhe kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel