Ndihmëssekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker është takuar ditën e sotme fillimisht me kryeministrin Edi Rama dhe më pas me kryetarin e Opozitës, Lulzim Basha, ku në takimin me këtë të fundit ka qenë e pranishme edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.
Në fotot e realizuara pas takimit, Yuri Kim, Reeker dhe Basha shfaqen të buzëqeshur dhe duke komunikuar me njëri tjetrin. Gjithashtu edhe Kim është përshëndetur me kreun e PD-së, ku i kanë dhënë edhe dorën njëri-tjetrit.
Reeker më pas do të jetë në një drekë pune me Ministren e Punëve të Jashme, Olta Xhaçka.
Pas vizitës në vendin tonë, ai do të niset drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të marrë pjesë në aktivitetin “Rruga e Prespës”.
Vizita e zyrtarit të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen në një kohë kur Shqipëria nuk mori një dritë jeshile nga Bashkimi Evropian për mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare.
Ndërkohë, ditën e djeshme Kryeministri Rama së bashku me drejtuesit e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kërkuan edhe ndihmën e SHBA-së që të ndikojë te BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë drejt BE-së duke e quajtur vendimin e tyre një dështim të përsëritur.
Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha para disa javësh.
Top Channel