Me argumentin se kanë mungesë stafi, Konsullatat amerikane në Rusi njoftuan se nga 1 gushti do t’i pezullojnë operacionet e tyre.
Arsyeja siç thonë është fakti që Moska ka vendosur të kufizojë numrin e shtetasve të saj, që lejohen të punojnë në zyrat e misionit diplomatik. Ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, deklaroi se konsullatat nuk do të jenë në gjendje t’i përpunojnë aplikimet për viza, për shkak të shkurtimeve të stafit, dhe shtoi se një gjë e tillë do t’i prekë qytetarët dhe bizneset, si në Rusi, ashtu edhe në SHBA.
Rusia njoftoi në muajin prill dëbimin e dhjetë diplomatëve amerikanë dhe i ndaloi misioneve diplomatike të SHBA-së të punësojnë shtetas rusë dhe shtetas të vendeve të treta, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e SHBA-së dhe dëbimin e disa diplomatëve rusë nën akuzat se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA dhe se ka kryer disa sulme kibernetike atje.
Por e gjithë kjo duket se po kthehet në boomerang për rusët vetë, pasi Ambasada amerikane atje tha se shkurtimet nënkuptojnë zvogëlim për 75 për qind të punonjësve konsullorë. Më shumë se 1,000 shtetas rusë kanë punuar në misionet diplomatike të SHBA-së në Rusi deri në vitin 2017, por numri ka rënë ndjeshëm si pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Top Channel