Ish- i dërguari i posaçëm i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump Richard Grenell, ka zhvilluar një intervistë me kryeministrin Edi Rama, ku mes të tjerash e pyeti atë edhe për vendimin e BE për të mos çelur negociatat me Shqipërinë.
Rama tha se BE-ja po dështon herë pas herë që të mbajë premtimet e veta, pasi vlerësojnë se ne jemi gati të nisim bisedimet formale, duke thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare, por nga ana tjetër, Këshilli i BE-së nuk është në gjendje të marrë një vendim.
Richard Grenell: Dua ta nis menjëherë me diçka. Dje, ju ishit pjesë e lajmeve duke kritikuar dështimin e BE-së me mosmiratimin e çeljes së bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E dimë që kjo është çështje e rëndësishme në Ballkan. A mund të komentoni mesazhin tuaj të djeshëm për BE-në?
Edi Rama: Është pak a shumë i njëjti, pasi nga njëra anë, ata vlerësojnë se ne jemi gati të nisim bisedimet formale, duke thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare, nga ana tjetër, Këshilli i BE-së nuk është në gjendje të marrë një vendim. Kjo ka të bëjë me disa çështje që kanë të bëjnë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por, sërisht, për ne është mjaft zhgënjyese dhe njëkohësisht tregon shumë, për të qenë i sinqertë, pasi e keqja e kësaj është se po mësohemi me faktin që BE-ja po dështon herë pas herë që të mbajë premtimet e veta.
I pyetur se çfarë po thonë konkretisht udhëheqësit e BE-së për arsyet pse kanë ngecur këto bisedime për anëtarësimin, Kryeministri u përgjigj se: “Ata nuk po thonë asgjë, sepse, siç thashë, kanë bërë vlerësimin dhe secili prej tyre ka vlerësuar që Shqipëria është gati të ulet dhe të nisë bisedimet dhe nga ana tjetër nuk ka vendim sepse BE-ja mbështetet në një mekanizëm vendimmarrës me konsensus të plotë dhe mjafton që njëri prej vendeve të ketë një çështje dhe në këtë rast, çështja është midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe gjithçka hidhet në erë. Është njësoj si të ndjehesh pjesë e një zgjatimi të veprës së Samuel Beckett, “Duke pritur për Godonë” dhe në vend të Vladimirit dhe Estragonit, në këtë libër jemi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.”
Pjesa tjetër e intervistës:
Richard Grenell: Shpresoj fort që të arrijmë në një pikë ku udhëheqja amerikane të shtyjë përpara. Ju e dini që administrata e kaluar ka bërë mjaft përparime për normalizimin ekonomik në Ballkan. Një nga idetë e nxjerra nga këto bisedime ishte ideja e zonës së Minishengenit. Çfarë mendoni për këtë ide dhe cili është statusi i saj tani?
Edi Rama: Së pari, ambasador, më duhet të përsëris sot që ju nuk jeni më në atë rol, atë çfarë ju kam thënë kur ishit në atë rol. Ju dhatë një kontribut vërtetë të rëndësishëm, duke treguar me shembull dhe jo me fjalë që është e mundur që edhe pse ndërkohë ka një çështje të madhe dhe të pazgjidhur të njohjes së Kosovës nga Serbia dhe anasjelltas, është e mundur të përmirësohet jeta e njerëzve, është e mundur të punohet së bashku për atë çka, sigurisht qeveritë dhe vendet nuk mund te mos jenë dakord, pra përmirësimi i tregtisë, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik, përmirësimi i lirisë së lëvizjes, së kapitaleve, të shërbimeve e kështu me radhë. Sigurisht që kjo është edhe ajo që nga ana ime e kam nxitur prej vitesh dhe falë shembullit që ju dhatë, u bë edhe më e prekshme. Më duhet të kujtoj këtu, atë çka ju bëtë për të vendosur lirinë e lëvizjes përmes fluturimeve, që ishte e papërfytyrueshme.
Richard Grenell: Aspekt shumë i rëndësishëm i përpjekjes për të siguruar normalizimin në aspektin ekonomik. Dua të pyes në lidhje me njoftimin e fundit të Departamentit të Shtetit për vendosjen e sanksioneve për disa shqiptarë që të hyjnë në SHBA. Çfarë mendoni për këto përcaktime dhe çfarë mendoni për atë që vjen më pas?
Edi Rama: Më duhet të them që nga njëra anë është e trishtë të shohësh këtë realitet që e dimë shumë mirë që ka marrë vulën nga lëvizja e fortë e Departamentit të Shtetit, por nga ana tjetër është sinjal i qartë se përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë amerikane, qoftë qeveria, administratës së cilës ju i përkisnit, dhe qoftë qeveria e tanishme, për të nxitur reformën në drejtësi dhe transformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri ka arritur pikën e moskthimit. Për mua ky ishte mbarimi i tranzicionit dhe i fundit të konceptit të pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin.
Richard Grenell: Zoti kryeministër, kemi ardhur në fund. Faleminderit shumë që u bashkuat me ne.
Edi Rama: Faleminderit Ambasador
Richard Grenell: Kryeministri Edi Rama nga Shqipëria.
Edi Rama: Edhe njëherë, është kënaqësi dhe nder. Jeni gjithmonë i mirëpritur në këtë rajon, sidomos në Shqipëri. Presim me padurim t’iu shohim këtu.
Richard Grenell: Faleminderit shumë. Do të kthehemi sërisht.
Top Channel