Sekretari i Shtetit për shëndetësinë, një prej zyrtarëve më të rëndësishëm të qeverisë së kryeministrit anglez Boris Jonson është përfshirë në një aferë dashurie jashtëmartesore më këshilltaren e tij.
Është tabloidi The Sun që ka siguruar dhe publikuar fotot e Matt Hancock duke u puthur në ambientet e ministrisë së shëndetësisë me Gina Coladangelo.
Vetë Hancock në një koment të shkurtër pas publikimit të këtij skandali rozë thotë se “e pranoj që kam thyer rregullat e distancimit social në atë rrethanë. Për këtë kërkoj ndjesë.
Ndërsa një zëdhënës i qeverisë angleze thotë se “Sekretari shëndetësisë ka kërkuar ndjesë për këtë episode. Kryeministri e ka pranuar ndjesën e sekretarit të shëndetësisë dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur”.
Një burim nga qeveria angleze i tha The Sun se “ky zhvillim është tronditës pasi bëhet fjalë për një aferë në mes të pandemisë dhe se kjo këshilltare paguhet me paratë publike”.
Zonja Coladangelo është nënë e tre fëmijëve dhe njëkohësisht punon si drejtore e komunikimit në kompaninë Oliver Bonas themeluar prej bashkëshortit Oliver Tress.
Njëkohësisht ajo është edhe aksionere kryesore në kompaninë e lobimit Luther Pendragon, ku u ofrohet klientëve lobim dhe këshillim si të kuptojnë mekanizmat qeverisës.
Top Channel