Departamenti i Drejtësisë padit shtetin e Xhorxhias për ligjin e ri të zgjedhjeve

25/06/2021 23:05

Departamenti amerikan i Drejtësisë po padit shtetin e Xhorxhias lidhur me ligjin e ri të zgjedhjeve në këtë shtet, duke argumentuar se ligjvënësit shtetërorë republikanë nxituan të miratonin një ligj që synon t’u mohojë votuesve afrikano-amerikanë qasje të barabartë në votim.

“Aty ku besojmë se janë shkelur të drejtat civile të amerikanëve, ne nuk do të hezitojmë të veprojmë,” tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland të premten gjatë leximit të padisë.

Ligjvënësit republikanë në këtë shtet u kundërpërgjigjën menjëherë, duke premtuar një mbrojtje të fortë të ligjit të Xhorxhias.

Lëvizja e administratës Biden vjen dy javë pasi Prokurori i Përgjithshëm Garland tha se departamenti i tij do të shqyrtonte me kujdes ligjet e reja në shtetet e kontrolluara nga republikanët që forcojnë rregullat e votimit. Ai tha se qeveria federale do të merrte masa nëse prokurorët gjenin veprime të paligjshme.

Padia vjen gjithashtu ndërsa mbi administratën Biden rritet presioni për t’u përgjigjur ndaj ligjeve të mbështetura nga partia republikane në disa shtete këtë vit. Një përpjekje e demokratëve për të rishikuar ligjet zgjedhore u bllokua këtë javë nga senatorët republikanë.

Sipas Qendrës Brennan për Drejtësi, e cila hulumton votimin dhe mbështet qasjen e zgjeruar te e drejta e votës, deri në mes të majit ishin miratuar të paktën 22 ligje kufizuese në 14 shtete.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë lanë të kuptohet se prokurorët po vëzhgojnë ligjet e votimit në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe paralajmëruan se qeveria nuk do të qëndronte pasive nëse kishte përpjekje të paligjshme për të kufizuar qasjen e votuesve.

Futja në zbatim e ligjeve të reja mbi të drejtat e votimit sinjalizon gjithashtu se Presidenti Joe Biden dhe Ndihmës Prokurorja e Përgjithshëm Kristen Clarke po mbajnë premtimin për të rifokusuar vëmendjen e departamentit tek të drejtat civile pas katër viteve të trazuara gjatë administratës Trump. Zonja Clarke ishte një nga juristet kryesore e të drejtave civile në vend para se të emërohej për të udhëhequr degën e Departamentit të Drejtësisë për të Drejtat Civile.

Sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, tha se ai do ta kundërshtonte padinë. Zyrtari republikan u kritikua ashpër nga Presidenti i atëhershëm Donald Trump dhe aleatët e tij për kundërshtimin e përpjekjeve për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit 2020 në këtë shtet./voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA