Ralf Gjoni ka reaguar ndaj Myslim Murrizit duke thënë se deputetët që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit, të cilët do të zënë vendet e tyre në parlament në shtator, do të jenë kampionët e integrimit.
Me tone ironie, Gjoni tha se kampionë janë partitë që rrotullohen në krevat dyshe, ndërsa më parë ishin treshe. Sipas tij, futja në parlament e deputetëve të tjerë pas djegies së mandateve të opozitës, “prishi përkohësisht krevatin e tyre.”
Gjoni: Myslym, ata që do vijnë thjesht po rregullojnë krevatin, ishin treshe tani do futen dyshe. Futja jonë në parlament e prishi krevatin e tyre përkohësisht. Kaq qesharak është bërë ky proces si kampionët e drejtësisë sa këta që do të hyjnë në shtator do të jenë kampionët e integrimit që ta dinë të gjithë shqiptarët që të vazhdojnë të shpresojnë se kjo punë zgjidhet me kampionë ku partitë rrotullohen dyshe, jo më treshe.
Më parë, Murrizi i tha Gjonit se në shtator Kuvendi do të bëhet laborator shkencor, do të vijë ajka që do të shpikë vaksinën e do shkojnë në NASA.
Murrizi: Ralf, kemi dhe një seancë, më 1 korrik, pastaj do të shpëtojnë shqiptarët nga ne, se këtu o z.Manja këtu do të jetë laborator shkencor, do të vijnë ajka, do të shpikin vaksinën, ata që do të shkojnë drejt NASA-s. Këtu do të ketë hajdut doganash, armësh, kontrabandistë. Ju faleminderit.
Ndërsa ndaj Taulant Ballës, i cili tha se kanë plotësuar pritshmëritë e familjes europiane për integrimin e Shqipërisë në BE, Gjoni u shpreh se Shqipëria bëhet vetëm me respektin ndaj vetes, jo me “lëpirjen” ndaj ambasadorëve.
Gjoni: Taulant, nuk rri dot pa përmendur shprehjen “familje evropiane”. Duhet të shohim veten në pasqyrë se kjo nuk është më familje, por klub hipokrit qe po tallet me të ardhmen e popujve të Ballkanit. Është i turpshëm vendimi për të penguar hapjen e negociatave dhe nuk duhet toleruar nga ana jonë. Nuk duhet të përqendrohemi tek Twitter-at e ambasadorëve.
Shqipëria do të bëhet kur të respektojmë veten më shumë se t’i lëpihemi ambasadorëve.
Top Channel