Një botë e pasur plot ngjyra, ndjenja dhe fantazi është paraqitur para artdashësve nga fëmijë të të gjitha moshave në Galerinë e artit figurativ “Nikolet Vasia” të Durrësit.

Punime në pikturë, dritë-hije dhe vizatim të 47 fëmijëve u ekspozuan, nën kujdesin e kuratorëve Aseli Isteri dhe David Kryemadhi.

David Kryemadhi, kurator: Spikas harmoninë e ngjyrave dhe talentin e tyre. Neve si artistë na mbetet vetëm t’i shtyjmë të punojnë më tepër e të forcojnë vullnetin. Botën e fantazinë e kanë shumë të madhe dhe shihet nga moria e subjekteve.

Kjo ekspozitë kurorëzon punën e fëmijëve, që gjatë pandemisë e praktikuan dhe zhvilluan më tej pasionin e tyre. Një prej pjesëmarrëseve në këtë ekspozitë është dhe 16-vjeçarja Ester Hoxha. Ajo merr pjesë për herë të parë në një ekspozitë ku paraqitet me një grup punimesh në telajo, vizatime dhe grafikë.

Ester Hoxha: Jam një person që i ndjek shumë ndjenjat dhe kur shoh e ndjej diccka mundohem ta sjell në telajo, në letër.

Edhe për Kristelin, që sapo ka përfunduar klasën e 8-të, ndjenja dhe pasqyrimi i saj janë kryesore në çdo punim që realizon.

Kristel Zerri: Besoj është e rëndësishme të përballesh me ndjenjat e tua kur krijon diçka.

Një pjesë e fëmijëve pjesëmarrës në ekspozitë e kanë pasion pikturën dhe e ushtrojnë atë për të zhvilluar më tej talentin që kanë, ndërsa disa të tjerë e shohin edhe të ardhmen e tyre të lidhur me të.

Top Channel