Ushtritë e Izraelit dhe SHBA-së do të diskutojnë tensionet në Lindje të Mesme

17/06/2021 21:55

Shefi i ushtrisë së Izraelit do të shkojë të shtunën (19 qershor) në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar me zyrtarët amerikanë për situatën në Gaza dhe armëpushimin e 21 majit që i dha fund luftimeve 11 ditëshe me militantët e Hamasit.

Gjenerali Aviv Kohavi, është zyrtari i parë izraelit që viziton Shtetet e Bashkuara që kur u votua qeveria e re me kryeministër, Naftali Bennett.

Armëpushimi u shkel këtë javë pasi militantët palestinezë lëshuan balonë zjarrëvënës në drejtim të Izraelit, duke nxitur si hakmarrje sulmet ajrore izraelite.

Tensionet mbeten të larta. Militantët palestinezë kanë vazhduar me lëshimin e balonëve, njoftuan zjarrfikësit izraelitë që po mundohen ta ndalin zjarret e shkaktuara.

Nga luftimet në muajin maj mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit mbetën të vrarë 260 palestinezë, përfshirë disa luftëtarë, thanë autoritetet e Gazës. Në Izrael, 13 njerëz u vranë, duke përfshirë një ushtar, nga raketat e lëshuara nga Gaza, thanë policia dhe ushtria.

Izraeli dhe SHBA-ja e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.

Kohavi do të vizitojë Komandën Qendrore të Ushtrisë Amerikane në Florida, dhe në qendër të diskutimeve të tij do të jenë situata në Gaza, kërcënimet nga Irani dhe Hezbollahu, grupi militant në Liban që mbështetet nga Teherani.

Kryeministri i ri Bennett, një nacionalist hebre që pasoi në këtë pozitë kryeministrin veteran Benjamin Netanyahu, është zotuar se “Izraeli nuk do ta lejojë Iranin të ketë armë bërthamore”./REL/

Top Channel