Gjykata e Lartë hedh poshtë padinë ndaj ligjit të kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Obama

17/06/2021 21:10

Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë një sfidë ndaj ligjit të kujdesit shëndetësor të miratuar gjatë administratës së ish-presidentit Obama, duke mbrojtur sigurimet shëndetësore për miliona amerikanë.

Anëtarët e gjykatës, me një votim 7-2 të enjten, e lanë të paprekur ligjin duke vendosur se Teksasi dhe disa shtete të tjera të qeverisura nga republikanët, si dhe dy individë, nuk kishin të drejtë ta ngrinin padinë e tyre në gjykatën federale.

Dispozitat kryesore të ligjit përfshijnë mbrojtje për personat me probleme shëndetësore egzistuese, një sërë shërbimesh pa kosto për kujdes shëndetësor parandaluese, si dhe zgjerimin e programit Medicaid, që ofron sigurime shëndetësore për njerëzit me të ardhura nga më të ulëtat, përfshirë ata, punëdhënësit e të cilëve nuk ofrojnë sigurime shëndetësore.

Vendimi gjithashtu la në fuqi një dispozitë, tashmë e parëndësishme, e cila në fillim parashikonte gjoba për ata që nuk blenin mbulim shëndetësor, por që Kongresi në vitin 2017, i uli gjobat në zero.

Eliminimi i gjobës ishte shkaku që Teksasi dhe shtetet e tjera të drejtuara nga republikanët, si dhe administrata e ish-presidentit Trump, përdorën si argument për të sulmuar të gjithë ligjin. Ata argumentuan se në mungesë të kësaj klauzole, që ishte një nga shtyllat e ligjit kur u miratua në 2010, edhe pjesa tjetër e ligjit duhet të binin.

Me një Gjykatë të Lartë më konservatore, që përfshin tre anëtarë të emëruar nga ish-presidenti Trump, kundërshtarët e ligjit të ashtuquajtur “Obamacare” shpresuan se shumica e gjyqtarëve më në fund do ta rrëzonin ligjin ndaj të cilit kishin luftuar për më shumë se një dekadë.

Por sulmi i tretë i madh ndaj ligjit në Gjykatën e Lartë përfundoi ashtu si dy nismat e mëparshme, me shumicën e Gjykatës që kundërshtoi përpjekjet për të cunguar ligjin, ose për ta shfuqizuar tërësisht atë.

Tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, të emëruar nga ish-presidenti Trump,Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, ndanë votat e tyre. Kavanaugh dhe Barrett u bashkuan me shumicën. Gorsuch ishte kundër ligjit, duke u bashkuar me gjykatësin Samuel Alito i cili ofroi argumentat e pakicës kundërshtuese./VOA/

Top Channel