Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti të martën pasdite në Gjenevë, ku do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Biden u prit në pistën e Aeroportit të Gjenevës nga presidenti zviceran, Guy Parmelin, i shoqëruar nga krerët e kantonit dhe autoritetet e qytetit të Gjenevës, si dhe nga diplomatët amerikanë, të vendosur atje.

Takimi me Putinin do të zhvillohet të mërkurën. Të dyja palët i kanë minimizuar shanset për arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Një ndihmës i Kremlinit tha se ai ende mendon se samiti do të jetë i dobishëm, ndërsa një zyrtar i administratës së Bidenit paralajmëroi që të mos pritet shumë. “Nuk presim arritje të mëdha nga ky takim”, tha një anëtar i ekipit të Bidenit.

Takimi me Putinin në Liqenin e Gjenevës është i pari i Bidenit prejse ka marrë detyrën e presidentit në muajin janar. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin më të ulët ndër vite.

“Ia kam bërë të qartë presidentit Putin, në një mënyrë shumë të ndryshme nga paraardhësi im, se ditët kur Shtetet e Bashkuara kanë qenë toleruese përballë veprimeve agresive të Rusisë, si ndërhyrja në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike, helmimi i qytetarëve të saj, kanë mbaruar. Ne nuk do të hezitojmë të rrisim koston ndaj Rusisë dhe t’i mbrojmë interesat tona jetësore dhe popullin tonë”, ka thënë ditë më parë Biden, pasi ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus.

Zvicra ka ndërmarrë një operacion masiv për të garantuar sigurinë e dy presidentëve dhe shoqëruesve të tyre, duke shpërndarë rreth 4,000 policë dhe ushtarë. Biden, i cili ndodhet në vizitën e parë jashtë SHBA-së prejse ka marrë detyrën e presidentit, ka qëndruar paraprakisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka marrë pjesë në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara G7, dhe në Bruksel, ku ka ndjekur samitin e NATO-s.

Top Channel