Befason studimi: Një në pesë europianë japin ryshfet për kujdesin shëndetësor

15/06/2021 11:07

Dhënia ryshfet mjekëve për një shërbim më të mirë shëndetësor duket se nuk është vetëm fenomen shqiptar.

Një raport thotë se një e treta e banorëve të Bashkimit Europian shfrytëzuan njohjet familjare dhe personale me stafet mjekësore, për të marrë një shërbim më të mirë gjatë pandemisë së Covid 19.
Një në pesë persona në Rumani, Bullgari, Hungari dhe Lituani paguan ryshfet për shërbime të tilla, shton më tej studimi.

Shqetësimi ngrihet edhe për faktin se nëse dikush merr një vaksinë anti Covid ose një shërbim tjetër, duke paguar ose shfrytëzuar njohjet familjare, kjo mund të vendosë në rrezik jetën e peronave që kanë përparësi për t’u imunizuar.

Në të gjithë 27 vendet anëtare të BE-së, gati dy të tretat (62%) e 40.000 të anketuarve në një sondazh të kryer nga Transparency International thanë se korrupsioni në qeverinë e tyre ishte një problem i madh.

Autorët e raportit, Barometri Global i Korrupsionit në Bashkimin Evropian, thanë se gjetjet ishin veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh që vendet anëtare po përgatiten të ndajnë miliarda euro për rimëkëmbjen post-pandemike.

Komisioni Evropian pritet që menjëherë të miratojë planet kombëtare për shpenzimet e 800 miliardë eurove që do të mblidhen së bashku në tregjet financiare, shkruan “The Guardian”.
BE shpesh shihet si një bastion i integritetit, por këto zbulime tregojnë se vendet në të gjithë rajonin mbeten të prekshme nga efektet tinëzare të korrupsionit“, tha Delia Ferreira Rubio, kryetarja e Transparencës Ndërkombëtare.
Gjatë një krize shëndetësore, përdorimi i lidhjeve personale për të hyrë në shërbimet publike mund të jetë po aq i dëmshëm sa pagimi i ryshfetit. Jetët mund të humbin kur njerëzit që përdorin këto metoda marrin një vaksinë Covid 19 ose trajtim mjekësor para atyre me nevoja më urgjente”, shpjegon Rubio.

Përqindjet më të larta të njerëzve që thanë se kishin dhënë ryshfet për të siguruar kujdesin shëndetësor ishin në Rumani (22%), Bullgari (19%), Hungari (17%), Lituani (17%) dhe Kroaci (14%).

Përdorimi i ryshfetit për të pasur kujdes shëndetësor ishte gjithashtu i zakonshëm në Belgjikë (10%), Austri (9%) dhe Greqi (9%), sipas studimit, i cili u krye midis tetorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar.
Nuk kishte asnjë vend në të cilin shumica e qytetarëve mendonin se korrupsioni po zvogëlohej.

Rezultatet më pozitive erdhën nga Sllovakia, ku 39% e qytetarëve menduan se kishte një rënie të korrupsionit.

Top Channel