Sot do të zhvillohet Samiti i NATO-s, pas Samitit të G7-ës.

Anëtarët e NATO-s dhe Presidenti i SHBA, Joe Biden janë zhvendosur nga Cornwall në Bruksel, ku pritet të merren vendime për sigurinë e së ardhmes.

Ky është Samiti i parë i NATO-s ku Biden merr pjesë si President i SHBA dhe ai pritet të adresojë çështjet për Kinën dhe Rusinë.

Sipas burimeve nga zyra e kryeministrit grek Mitsotakis sa i takon pjesëmarrjes së tij në samitin e NATO-s , bëjnë me dije se do të takohet në orën 13:20 me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Ndërsa me interes të veçantë pritet edhe takimi i tij me presidentin turk Erdogan në orën 17:05 minuta po gjatë ditës se nesërme.

Nesër ai përmbyll vizitën 8-ditore në Europë me takimin në Gjenevë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Ndërkohë Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se Samiti i NATO-s më 14 qershor do të ishte një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-së me presidentin amerikan Joe Biden.

Ai theksoi se do të bisedonte gjithashtu me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë samitit.

“Kjo do të jetë një mundësi për të shqyrtuar anët pozitive dhe negative të marrëdhënieve Turqi-Francë”, tha presidenti turk.

Udhëheqësit do të mblidhen sot në Bruksel për herë të parë që nga viti 2018, ndërkaq, takimi i nivelit të lartë do të hapë një kapitull të ri në historinë e aleancës duke rënë dakord mbi “një agjendë ambicioze dhe largpamëse të NATO-s për vitin 2030”, theksoi shefi i NATO-s Jens Stoltenberg para gazetarëve.

“Ky është një moment i rëndësishëm për aleancën që t’u përshtatet sfidave, të tilla si Rusia dhe Kina, që i kundërvihen rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, kërcënimi i vazhdueshëm i terrorizmit, sulmet e sofistikuara kibernetike, teknologjitë shqetësuese dhe ndryshimet klimatike”, theksoi ai.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, shpesh e ka denigruar NATO-n dhe ka kërcënuar me tërheqje nga aleanca e sigurisë.

Top Channel