Ekspozita e studentëve/ Prezantojnë punimet në Qendrën e Kulturës

14/06/2021 19:54

Pas përfundimit të ‘workshopit’ me temë Praktikat e Artit Bashkëkohor të drejtuar nga tre mentorë, Driant Zeneli, Edison Ceraj dhe Ledia Kostandini, studentët që morën pjesë në të vijnë nëpërmjet kësaj ekspozite, ku prezantojnë punimet e tyre si pjesë e një procesi në krijim e sipër.

Kjo është mënyra me të cilën ata kanë vendosur të komunikojnë me audiencat.

Edison Ceraj: Secili nga ne, qoftë unë, qoftë Ledia apo Drianti kemi zhvilluar nga një leksion në këtë marrëdhënie dhe këto janë veprat që vijnë nga një projekt i tillë. Unë personalisht zhvillova projektin “Muzeu i fjalës” duke ju dhënë një fjalë si nisje, si provokim. Një fjalë që ka dalë nga fjalori dhe ne nuk e përdorim më. Dhe rikthimi i një fjale të fjetur, të harruar rikthen dhe imazhe, aroma, kujtime, të cilat ju kërkua ti përkthenin në imazhe.

Kritanja ka zgjedhur të shqiptojë në mënyra të ndryshme një fjalë pasthirrmë, nëpërmjet kësaj videoje.

Kritanja Cene: Unë zgjidha fjalën”aht” dhe bëra një video në formën e një loje midis imazhit, audios dhe vetë fjalës.

Nëpërmjet këtij instilacioni me kuba si një puzzle Nadia krijon interaktin.

Nadia Abazi: Vepra quhet interakt. Pikësynimi im i parë ishte të bashkëveproja me shikuesin apo me persona që do vizitonin ekspozitën. Synimi ishte të zhvilloja një lojë psikologjike me shikuesin.

Englandi ka xhiruar në këtë video veten e vet teksa lyen me të bardhë, një mur që mbante tashmë këtë ngjyrë. Nëpërmjet kësaj ai ka dashur të hyjë në lëkurën e atyre që shoqëria i quan “Të çmendur”..

England Linkoni: Kjo vepër quhet Something Madness, që përkthehet copëza çmendurie. Jam përpjekur të vendos veten në lëkurën e një të çmenduri, ndërkohë që kjo vepër vëzhgohet nga një pikturë e shekullit të XXVII e piktorit Frans Hals, që janë Pesë Rojtarët e Çmendinës. Sa i ngjashëm është një njeri i çmendur me një artist.

13 artistë të ndryshëm janë pjesë e ekspozitës në Qendrën e Kulturës Tulla.

Top Channel