Rama nuk kursen falenderimet për Fatos Nanon: Babai im politik, e desha e vrava dhe më pas e rigjeta të rilindur

12/06/2021 19:09

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer falenderimet për Fatos Nanon në kongresin e Partisë Socialiste duke e cilësuar si “babain e tij politik”.

Rama tha se në fillim e deshi, e vrau dhe më pas e gjeti të rilindur në respekt dhe vëmendje.

Rama nuk hezitoi të falenderonte këdo që i qëndroi afër gjatë të gjithë këtyre viteve, ndërsa nuk munguan fjalët e tij për anëtaren më të re të PS, Megi Finon, të cilës i tha se është i bindur që Bashkim Finos është krenar për të më shumë se kurrë.

Rama: Gëzuar 30 vjetorin e PS. Kjo është një ditëlindje e bukur. Çdo ditëlindje është ditë e bukur por kjo e sotmja ka jo vetëm veçantinë të përvjetorit të 30, por edhe shijen e veçantë të fitores të sapo arritur. Faleminderit dhe njëherë të gjithë atyre që punuan fort për këtë arritje dhe shkruan një faqe kaq të veçantë për historinë e familjes sonë të madhe politike. Faleminderit atyre që i dhanë kësaj partie emrin, misionin, vlerat e tiparet themelore të ndryshimit dhe e nxorën PS në rrugën e përpjetë të transformimit historik të Shqipërisë këtu e 30 vjet më parë. Patjetër faleminderit liderit të parë të saj, babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e vrava dhe më pas e rigjeta të rilindur në respektin dhe vëmendjen e ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit.

Faleminderit atyre që në emër të PS i shërbyen vendit në këto 30 vite. Kuvendi i Shqipërisë në qeveritë shqiptare, por mbi të gjitha dhe mbi të gjitha, faleminderit gjyshërve, burrave dhe grave, vajzave e djemve, të cilët në këto 3 dekada shkruan emrin e tyre në këtë familje dhe kontribuan vullnetarisht në këtë rrugë. Kemi fituar, humbur, rrëzuar, ringritur dhe kemi vijuar të ngrihemi. U prehshin në paqe të gjithë ata që nuk jetojnë ata dhe Bashkimi jonë, i cili do të jetojë me ne përmes kujtimeve dhe Megit. Faleminderit Megi për fjalët e tua dhe e besoj që nga atje lart, Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur dhe është më shumë se asnjëherë krenar për ty.

Duke na bërë partinë më të votuar në historinë e shqiptarëve dhe duke na dhënë privilegjin e drejtimit të vendit, menjëherë pas rrënimit katastrofik të vitit 1997 dhe 2013 kur imazhi i Shqipërisë ishte për faqe të zezë, faleminderit ju dhe socialistëve që prej vitit 2005 më kanë dhënë privilegjin të udhëheqjes së kësaj force të madhe politike, të cilën së bashku e kemi rritur në cdo stacion dhe e kemi ngritur sot në nivelin e misionit historik të Shqipërisë së vitit 2030.

Ndjesë kujtdo që ma ka dhënë këtë besim të madh dhe është ndjerë i mbetur pas, i mënjanuar, i lënduar dhe mirënjohje secilit që pavarësisht se mund të mos jetë ndjerë mirë, nuk është larguar, as tërhequr dhe ka vazhduar të më besojë e mbështesë.

Top Channel