Shpërthen makina me gaz, burri mrekullisht del nga flakët pa asnjë lëndim! (Pamjet)

10/06/2021 14:39

Një shofer në Bartin të Turqisë shpëtoi për mrekulli nga zjarri që përfshiu makinën e tij në një pikë karburanti.

Kamerat e sigurisë filmuan momentin kur personi shkon të furnizojë automjetin me gaz.

Gjithçka në fillim duket mirë. Burri hyn në automjet dhe përpiqet ta ndezë. Por pas disa çastesh, ndodh tmerri: makina përfshihet nga flakët ndërkohë që drejtuesi i saj është ende brenda. Ai arrin të hapë derën e të dalë jashtë ndërkohë që mjeti është kthyer në një lëmsh të zjarrtë.

Shpejtësia e veprimeve të tij e ka shpëtuar, pasi në momentin që del, duket që flakët nuk e kanë prekur dhe nuk ka asnjë lëndim.

Konsiderohet fat i madh që ky episod nuk pati pasoja më të mëdha, duke pasur parasysh faktin që zjarri ndodhi në një pikë karburanti, punonjësit e së cilës reaguan menjëherë dhe arritën ta shuajnë zjarrin në kohë.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel