Të mërkurën, një gjykatë në Moskë pritet të shqyrtojë një kërkesë të nxjerrë jashtë ligjit organizatat e themeluara nga udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalni. Kjo shihet si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të mbytur zërat kritikë para zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare që mbahen në muajin shtator.
Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës në Moskë të shpallë organizatë ekstremiste Fondacionin Kundër Korrupsionit të zotit Navalni si dhe rrjetin e tij të zyrave rajonale. Një vendim i tillë, së bashku me një ligj të miratuar së fundmi, do të ndalonin të gjithë personat e lidhur me këto grupe, që të kandidonin për poste publike, duke shuar shpresat e aleatëve të zotit Navalni për të garuar për një vend në parlament.
Etiketimi si ekstremist shoqërohet me mundësinë e burgosjes për një kohë të gjatë të aktivistëve që kanë punuar me këto organizata, të atyre që kanë ofruar donacione për to, e madje edhe të atyre që thjesht kanë shpërdarë materiale të grupit.
Sipas avokatëve të çështjes gjykata pritet të vendosë sot mbi këtë çështje.
Zoti Navalni, armiku më i fortë politik i Presidentit Vladimir Putin, u arrestua në janar pas kthimit nga Gjermania, ku qëndroi pesë muaj për trajtim mjekësor pas helmimit me agjent nervor. Zoti Navalni ka fajësuar për incidentin Kremlinin, akuza që zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë. Në shkurt zoti Navalni u dënua me 2 vjet e gjysmë burg për shkeljen e kushteve të një dënimi pararendës të vitit 2014, nën akuzat për përvetësim, të cilin udhëheqësi i opozitës e ka cilësuar me prapavijë politike.
Prej muajit prill zyrat e fondacionit të zotit Navalni në dhjetëra rajone të vendit janë mbyllur pasi prokurorët lëshuan një urdhër për të pezulluar aktivitetet e tyre në pritje të vendimit të gjykatës. Por bashkëpunëtorët e udhëheqësit të opozitës janë zotuar të vazhdojnë punën nën një tjetër qasje.
Fondacioni i tij e ka nisur veprimtarinë 10 vjet më parë dhe ka patur në epiqendër zyrtarë të lartë të qeverisë duke detajuar me pamje filmike akte korrupsioni të kryera prej tyre. Pamjet më të fundit filmike të ofruara nga fondacioni, që u panë 117 milionë herë në YouTube, paraqisnin një pallat luksoz në brigjet e Detit të Zi, ndërtuar për Presidentin Putin përmes një skeme të mirëmenduar korrupsioni. Kremlini ka mohuar që zoti Putin të ketë lidhje me këtë pallat./voa
Top Channel