Në fillimet e veta Departamenti i Administratës Publike u pa si i vetmi institucion që do të funksiononte në bazë të meritokracisë. Por koha tregoi se gjërat rrodhën ndryshe. Duket se DAP është në funksion të partisë që vjen në pushtet. Të rinjtë nuk kanë më besim te ndershmëria e këtij institucioni. Madje ka raste konkrete që faktojnë se konkurset e DAP janë fiktive.

Top Story do të shpjegojë më qartë skemën e konkurseve fiktive. Supozojmë se në Ministrinë e Mbrojtjes është hapur një vend pune si specilistë i lartë. Në këtë vend pune aktualisht është Andi. Ai është emëruar në prag të fushatës zgjedhore. Për të legjitimuar qëndrimin e tij, institucioni njofton për vendin vakant nëpërmjet DAP.

Por që Andi të jetë i sigurt që nuk i rrezikohet vendi i punës njofton edhe miqtë e tij të ngushtë që të marrin pjesë në garë. Miqtë udhëzohen për numrin e përgjigjeve të sakta që do të japin në tesin me shkrim. Ndërsa disa prej tyre nuk do të paraqiten fare në testin me gojë. Kështu në fund, i vetmi kandidat i përshtatshëm për vendin e punës, të supozuar të lirë, do të jetë po Andi. Në fakt Andi këtë pozicion pune e mori si një premtim të mbajtur gjatë fushatës elektorale.

Përveç kësaj, një mënyrë tjetër për të kuptuar se konkurset janë fiktive, janë kriteret që vendosen për garën. Pra, në bazë të specifikimeve që bëhen duket se fituesi është shpalluar paraprakisht. Kemi një institucion që kërkon të punësoj dy auditues. Kuptohet që për këtë pozicion pune duhet të kesh studiuar ekonomik ose juridik. Por kjo anashkalohet në njoftim, si kriter kryesor vendoset që audituesit të kenë mbaruar shkollën për psikologji.

Si ky rast ka edhe shumë të tjerë që tregojnë hapur se kandidati fitues është përzgjedhur, konkursi i zhvilluar është fiktiv sa për të dokumentuar vendimin e marrë.

Top Channel