Top Channel ka siguruar detaje nga vrasja në Peqin, ku mbeti i pajetë 44-vjeçari Ylber Xhahysa, i cili ka qenë pronar i një kabllori.
Gazetari i Top Channel, Andi Bora bën me dije se viktima ka qenë ulur në lokal, por pas disa minutash ka mbërritur Leonard Bashaliu dhe e ka qëlluar me 4 plumba. Sherri me autorin e vrasjes Leonard Bashaliu nisi për shkak të një konflikti që kanë pasur 5 vite më parë për gërvishtjen e makinës.
Autori ka deklaruar në polici se viktima e kishte qëlluar me grusht para 5 vitesh dhe mëngjesin e sotëm kishte arritur të përballej me të dhe ta vriste. Ai ka treguar se ka qenë edhe në gjendje të rënduar psikologjike për shkak të situatës familjare sepse babai i tij është i paralizuar ndërsa vëllai vuan nga epilepsia.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 08:30 në Peqin. Policia reagoi menjëherë duke bërë të mundur identifikimin e autorit, lokalizimin e vendndodhjes dhe pas disa minutash ndjekje u bë e mundur kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar së bashku me armën e zjarrit pistoletë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel